Ky Raport është hartuar nga Zyra për Qeverisje të Mirë, të Drejta të Njeriut, Mundësi të Barabarta dhe Mos-Diskriminim/Zyra e Kryeministrit, duke marrë shkas nga LMD (Ligji për Mbrojtje nga Diskriminimi), ku neni 10 përcakton detyrimin e ZQM/ZKM-së që të parashtrojë raporte mbi zbatimin e LMD-së, me qëllim të luftimit të diskriminimit.
Me qëllim të luftimit të diskriminimit, e për të përmbushur qëllimin e LMD-së, Zyra për Qeverisje të Mirë, të Drejta të Njeriut, Mundësi të Barabarta dhe Mos-Diskriminim/Zyra e Kryeministrit ka marrë nismën, si dhe me mbështetje të partnerëve, ka zhvilluar Platformën Kombëtare për Mbrojtje nga Diskriminimi për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian. Ky raport ka për qëllim që të pasqyrojë gjendjen e diskriminimit të komuniteteve përkatëse, përmes rasteve të raportuara në platformë, të cilat janë adresuar nga ekipi profesional i platformës dhe institucionet kompetente sipas LMD-së. Po ashtu, raporti ka për qëllim të ofrojë një pasqyrë të luftimit të diskriminimit ndaj komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, përmes rasteve të raportuara në platformë.
Përveç raporteve të përgjithshme për zbatimin e LMD-së, në këtë rast së bashku me partnerët mbështetur nga projekti “Drejtësia Sociale për Romë, Ashkalinj e Egjiptianë në Kosovë” që zbatohet nga Terre des hommes Laussane në Kosovë (TdhK), në partneritet me organizatën Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptasve (VoRAE) dhe Swiss Church Aid (HEKS/EPER), e që financohet nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim (Swiss Cooperation Agency), Zyra për Qeverisje të Mirë, të Drejta të Njeriut, Mundësi të Barabarta dhe Mos-Diskriminim/Zyra e Kryeministrit ka hartuar këtë raport për të pasqyruar zbatimin e LMD-së, në veçanti përkitazi me mbrojtjen nga diskriminimi të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian. Ky raport, përveç raporteve të përgjithshme për zbatimin e LMD-së, është bazuar edhe në rastet e raportuara në Platformë.
Në këtë raport janë përfshirë të gjitha rastet e raportuara dhe të trajtuara nga platforma, që nga fillimi i punës së saj e deri në rastet e paraqitura deri më datë 31 Dhjetor 2025.
Raporti bazohet në një metodologji gjithëpërfshirëse, që pasqyron të dhëna për diskriminimin e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, përmes platformës, si dhe masat që janë ndërmarrë nga institucionet e Republikës së Kosovës për parandalimin dhe luftimin e diskriminimit për komunitetet në fjalë. Metodologjia e këtij raporti përfshin:
• Analizën e të dhënave për diskriminimin e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian;
• Analizën e të dhënave për rastet e paraqitura në platformë, përfshirë edhe aspektin
statistikor dhe trajtimin e tyre nga institucionet;
• Analizën e çështjeve të ngritura në lidhje me zbatimin e LMD-së, ndërlidhur me
rastet e diskriminimit të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, etj.
Në raport pasqyrohet puna e platformës për periudhën prej 3.5 vitesh, duke filluar nga qershori i vitit 2022 deri më 31 dhjetor 2025. Raporti po ashtu pasqyron analizën e rasteve të raportuara në platformë, së bashku me statistikat konkrete, përfshirë edhe rastet që janë trajtuar suksesshëm nga ana e kësaj platforme lidhur me mbrojtjen nga diskriminimi të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, përfshirë edhe aspektin e shkeljes së të drejtave të caktuara kushtetuese, me bazë diskriminimin.