
Projekti "CARING 2.0: Parandalimi multidisiplinor dhe reagimi ndaj dhunës në shkollë" nisi zyrtarisht me një takim fillestar të suksesshëm dy-ditor më 15-16 prill 2025, në Budapest, Hungari. Kjo nismë shënon një hap të rëndësishëm në forcimin e sistemeve të integruara të mbrojtjes së fëmijëve në vendet si Rumania, Bullgaria, Greqia, Kroacia dhe Kosova.
Financuar nga Bashkimi Evropian, CARING 2.0 bazohet në zbatimin e suksesshëm të projekteve të mëparshme transnacionale të financuara nga BE REVIS (2021-2023) dhe CARING (2023-2025). Projekti i përgjigjet drejtpërdrejt rekomandimit të Komisionit Evropian për zhvillimin dhe forcimin e sistemeve të integruara të mbrojtjes së fëmijëve në interesin më të mirë të fëmijës.
"Dhuna ndaj fëmijëve mbetet një çështje kritike në të gjithë Evropën, qoftë në shtëpi, shkolla apo në komunitet" tha Marta Bene, menaxhere e projektit. "Kjo nismë i vendos fëmijët në qendër të sistemeve të mbrojtjes dhe njeh të drejtat e tyre për mbrojtje dhe pjesëmarrje."
Takimi fillestar mblodhi së bashku palët kryesore të interesit dhe partnerët nga Terre des hommes Hungaria, Terre des hommes Rumania, Terre des hommes Greqia, Terre des hommes Kosova, Brave Phone (Hrabi Telefon) Kroacia, Instituti i Aktiviteteve dhe Praktikave Sociale Bullgaria (SAPI), Shoqata Roditeli (Bullgari).
Gjatë periudhës dyvjeçare, projekti CARING 2.0 do të angazhojë rreth 1,150 fëmijë dhe të rinj të moshës 12–16 vjeç, me fokus të veçantë tek ata në situata të cenueshme. Gjithashtu, projekti do të përfshijë 500 anëtarë të stafit të shkollës, afërsisht 600 ofrues të shërbimeve publike, si dhe 500 prindër, kujdestarë dhe anëtarë të komunitetit.
Duke u bazuar në një model socio-ekologjik, CARING 2.0 do të zbatojë ndërhyrje në nivele të ndryshme të mjedisit social të fëmijëve – që nga niveli individual dhe familjar, deri te shkolla, komuniteti dhe shoqëria në tërësi. Kjo qasje gjithëpërfshirëse synon të mobilizojë faktorët mbrojtës në secilin nivel, për të nxitur ndryshime të qëndrueshme si në sistemet e parandalimit ashtu edhe në ato të reagimit ndaj dhunës. CARING 2.0 do të punojë me partnerët që deri tash janë të përfshirë në kuadër të projektit të mëparshëm CARING, i cili përfundoi më 30 prill 2025.
Gjatë takimit fillestar, partnerët diskutuan planet për zhvillimin e një mjeti shoqërues të kurrikulës, realizimin e trajnimeve për edukatorët dhe ofruesit e shërbimeve, organizimin e webinareve për shkëmbimin e njohurive mbi kujdesin e bazuar në traumë, si dhe fuqizimin e fëmijëve si agjentë aktivë të ndryshimit social.
Disa nga aktivitetet e projektit kanë nisur tashmë: si partner i ri, Terre des hommes Kosova ka nisur një vlerësim të shpejtë të nevojave në vend, me synimin për të adresuar realisht nevojat e fëmijëve në Kosovë.
CARING 2.0 bashkëfinancohet nga Bashkimi Evropian.